Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti, foli pas suksesit madhështor që kuqezinjtë arritën në transfertë ndaj Serbisë mbrëmjen e djeshme.
Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, Gjimshiti zbuloi se bashkëshortja serbe e uroi menjëherë pas ndeshjes.
“Emocionet para ndeshjes kanë qenë të shumta. Kam bërë eksperiencë në jëtën e futbollit, di si të përballoj presionin. Unë e kam shumë afër nga shtëpia e gjyshërve. Akoma nuk e kemi realizuar ëndrrën siç duhet, emocionet janë të mëdha. Nga e gjithë bota na kanë ndjekur, i kemi bërë të lumtur.
Duhet të kesh kualitet për të luajtur në këto nivele. Unë e njoh Ajetin që 15-vjeç, kemi luajtur edhe te Zvicra. Vendosëm të dy të luanim për Shqipërinë, më shumë se 10 vite që po luajmë bashkë këtu. Gjithë ekipi ka meritë, të gjithë luftuam, dhamë gjithçka në fushë. Ishte arritje e madhe.
Kam marrë shumë mesazhe, nuk i kam parë ende të gjitha. Bashkëshortja dhe familja janë më të rëndësishmet,” u shpreh ai.
Shqipëria mori tre pikë mbrëmjen e djeshme në përballjen ndaj Serbisë, e cila u mposht me rezultatin 0-1 në shtëpinë e saj.