Pas finales së madhe të “Ferma VIP 3”, moderatorja Arbana Osmani ka ndarë një reagim të gjatë në rrjetet sociale, duke iu referuar rrugëtimit të spektaklit dhe fitores së Mimoza Ahmetit.
Në postimin e saj, Arbana publikoi një fotografi krah fitueses së edicionit, e cila mban në duar çekun me vlerë 129 mijë euro, ndërsa vlerësoi figurën dhe kontributin e Mimoza Ahmetit gjatë 81 ditëve të qëndrimit në fermë.
“Ka qenë një përvojë sfiduese në shumë drejtime prezantimi i këtij programi, por pavarësisht vështirësive, jam shumë e lumtur që nga dita e parë publiku pëlqeu dhe përkrahu një model që nuk ishte shfaqur më parë në një reality show”, shkruan Arbana.
Moderatorja e cilësoi Mimoza Ahmetin si një grua të lirë, që nuk ka pasur frikë të shprehë mendimet dhe ndjesitë e saj, duke theksuar se ajo solli një filozofi jete të veçantë brenda formatit.
Sipas Arbanës, fituesja e këtij edicioni arriti të tregojë se mund të zgjedhësh gjithmonë veten, pa pasur nevojë të kërkosh miratimin e të tjerëve dhe pa rënë në arrogancë.
“Bagazhi i saj intelektual, logjika e pastër, zgjedhja për të mos marrë asgjë personale, por për të kuptuar tjetrin në vend që ta gjykosh, ta falësh në vend që të hakmerresh dhe ta pranosh në vend që ta luftosh, na tregoi se kjo është ndoshta mënyra më e bukur për të jetuar jetën”, vijon mesazhi i saj.
Në fund të reagimit, Arbana e mbylli me një falënderim të drejtpërdrejtë për fituesen: “Faleminderit Moza”.
Ajo që ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve është fakti se moderatorja ka zgjedhur të fokusohet te rrugëtimi dhe triumfi i Mimoza Ahmetit, pa komentuar debatet dhe polemikat që shoqëruan finalen, përfshirë edhe episodin e diskutuar gjerësisht në rrjet lidhur me ngatërrimin e një vepre që iu atribua gabimisht fitueses gjatë spektaklit.





