Katër persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti të rëndë të ndodhur në aksin rrugor Lezhë-Milot, pranë Urës së Milotit.
Në ngjarje janë përfshirë dy automjete, një makinë tip “Volkswagen” dhe një tjetër tip “Audi”, të cilat janë përplasur me njëra-tjetrën për arsye që ende nuk janë bërë të ditura.
Sipas të dhënave paraprake, një nga të plagosurit ndodhet në gjendje të rëndë dhe po merr trajtim të specializuar mjekësor.
Pas ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve të emergjencës, të lënduarit janë nisur drejt Spitalit të Traumës.
Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit dhe përgjegjësitë e mundshme të përfshira në këtë ngjarje.





