Një tërmet me magnitudë 5 ballë goditi Batalgazin në provincën Malatya të Turqisë juglindore këtë mëngjes dhe u ndje në provincat fqinje pa shkaktuar dëme ose viktima.
Lajmin e publikoi Agjencia Turke e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD). Paniku te banorët ka qenë i madh, por nuk raportohen viktima apo të lënduar.
“Nuk ka asnjë tregues për ndonjë situatë problematike pas tërmetit me magnitudë 5.0 ballë që goditi në orën 06:20,në rrethin Batalgazi të provincës Malatya dhe u ndje në provincat Malatya, Elazig, Adiyaman, Tunceli dhe Sanliurfa. Ekipet tona vazhdojnë të veprojnë në terren”, tha AFAD.
“Nuk kemi identifikuar ndonjë zhvillim negativ, por po vlerësojmë të gjitha raportet”, tha Ministri Turk i Mjedisit dhe Zhvillimit Urban, Murat Kurum.
Në vitin 2023, Turqia juglindore u godit nga një tërmet vdekjeprurës që vrau më shumë se 53,000 njerëz dhe shkaktoi shkatërrime në shumë qytete në rajon.
Dje një tërmet i fuqishëm 7,4 ballë goditi brigjet e Meksikës dhe u ndje në El Salvador dhe Guatemala, teksa pati alarm për cunami.





