Vala e të nxehtit afrikan po shkon drejt fundit, ndërsa dita e sotme pritet të jetë kulmi i temperaturave të larta në vend.
Sipas metrologes Lajda Porja, termometri do të shënojë deri në 39-40°C në pjesën më të madhe të qyteteve, por nga e marta pritet një rënie graduale e temperaturave.
Megjithëse moti do të mbetet i nxehtë edhe nesër, me maksimumet që do të arrijnë rreth 39°C, shtimi i vranësirave dhe lagështirës do ta bëjë vapën më të ndjeshme. Ndryshimi i madh pritet të nisë të mërkurën, kur vendi do të përfshihet nga masa ajrore më të freskëta, duke sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave dhe mot më të paqëndrueshëm.
Nga mesi i javës deri në fundjavë, temperaturat maksimale do të luhaten kryesisht mes 30 dhe 35°C. E premtja dhe fundjava parashikohen të jenë ditët më të freskëta, me vlera që nuk do të kalojnë 30-31°C.
Sa i përket reshjeve, dita e sotme do të karakterizohet nga mot kryesisht i kthjellët dhe i qëndrueshëm. Mbrëmjen e së martës priten reshje lokale në zonat veriore, ndërsa të mërkurën vendi do të përfshihet nga rrebeshe shiu, erë e fortë dhe stuhi, kryesisht në veri dhe qendër. Reshje të izoluara nuk përjashtohen edhe në jugperëndim, përfshirë qarkun e Vlorës.
Përmirësimi i motit pritet në fundjavë, kur reshjet do të ndërpriten dhe do të rikthehen kthjellimet, ndërsa temperaturat do të mbeten më të ulëta se në ditët e fundit. Edhe vlerat minimale do të zbresin ndjeshëm, duke i dhënë fund netëve tropikale dhe duke sjellë mëngjese më të freskëta, veçanërisht të enjten dhe të premten.
Ndërkohë, era pritet të jetë e fortë nga e mërkura e deri në fundjavë, si në zonat tokësore ashtu edhe përgjatë vijës bregdetare.





