Pas një periudhe të karakterizuar nga temperatura tepër të larta, situata meteorologjike në vendin tonë pritet të pësojë një ndryshim të beftë gjatë ditëve të ardhshme. Meteorologia Tanja Porja ka dhënë alarmin për të premten, duke njoftuar se Shqipëria do të goditet nga stuhi të fuqishme, megjithëse me kohëzgjatje të shkurtër.
Sipas vlerësimeve të saj, këto fenomene atmosferike do të shtrihen në pjesën më të madhe të territorit, ku më të ekspozuara ndaj rrezikut do të jenë rajonet qendrore dhe juglindore.
Ekspertja nënvizon se rreziku është i përgjithshëm për të gjithë vendin, me stuhitë që parashikohet të zgjasin mes 20 dhe 40 minutave.
Porja: Presim edhe sot në territorin shqiptar ndonjë gjë krejt të vogël.
Ditën e premte kemi stuhi afatshkurtra thuajse në gjithë territorin shqiptar. Askush s’mund ta përcaktojë, sepse janë celula që shkëputen, vendosen mbi një lokalitet, dhe aty prodhojnë maksimumin e aktivitetit të tyre. Ndërkohë, harta tregon se zonat më të kërcënuara nga stuhitë përfshijnë qendrën, lindjen dhe juglindjen, duke përmendur specifikisht Fushë-Krujën, Tiranën, Durrësin, Elbasanin, një pjesë të Librazhdit, si dhe zonat e Pogradecit, Korçës, Ersekës dhe Devollit.
Gjithashtu, në këtë listë mund të shtohen edhe Gjirokastra e Përmeti, duke konfirmuar se i gjithë vendi mbetet i pambrojtur nga ky mot.
Për fat të mirë, këto janë ngjarje meteorologjike jetëshkurtra, të cilat brenda një intervali të shkurtër prej 20-40 minutash sjellin reshje të dendura dhe erëra me shpejtësi tejet të lartë.





