Shqipëria është sërish në prag të një stuhie termike me origjinë afrikane, e cila do të sjellë rritje të ndjeshme të vlerave termike gjatë kësaj jave, duke arritur pikun në fillim të muajit gusht.
Lajda Porja nga MeteoAlb njoftoi se ngritja e temperaturave ka nisur që të hënën, me një kulm të parashikuar për të enjten dhe të premten, kohë kur në pjesën më të madhe të territorit termometri do të shënojë 40 gradë Celsius. Ndërkohë, meteorologia nënvizoi se duke filluar nga e mërkura, dobësimi i erës do ta bëjë të nxehtin edhe më të vështirë për t’u duruar.
“Që nga e mërkura dhe në vijim do të kemi rënie të intensitetit të erës, duke bërë që i nxehti të ndihet akoma më shumë.
Maksimumi i temperaturave pritet të regjistrohet të enjten dhe të premten, kur termometri do të shënojë deri në 40 gradë Celsius”, u shpreh meteorologia. Ekspertja konfirmoi se shtatë ditët e para të muajit gusht do të karakterizohen nga temperatura ekstreme, të cilat në disa qendra urbane mund të prekin pragun e 42 gradëve Celsius.
Zonat më të ekspozuara ndaj këtyre vlerave ekstreme parashikohet të jenë Shkodra, Elbasani dhe Berati, ndërsa vlerat e larta nuk do të mungojnë as në Lushnjë, Fier dhe Tiranë.
Për zona si Hasi apo Kukësi, termometri parashikohet të shkojë deri në 36 gradë Celsius, ndërkohë që pjesët juglindore të vendit do të gëzojnë një klimë relativisht më të butë.
Përsa i përket motit, nuk priten reshje, pasi që nga e marta vendi do të dominohet nga një mot i thatë dhe qiell i pastër.
Kjo është vala e tretë e të nxehtit për muajin korrik, sipas të dhënave të MeteoAlb, dhe parashikohet të zgjasë deri në datat 8 ose 9 gusht.
Në fund, Porja theksoi se ky fenomen do të përfshijë edhe rajonin, ku Kosova pritet të regjistrojë 38 gradë Celsius, ndërsa vala e të nxehtit do të shtrihet gradualisht edhe në Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe pjesë të tjera të Ballkanit.





