Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në aksin Çepë–Belsh, ku një përplasje mes një kamioni dhe një motomjeti ka përfunduar me pasojë fatale.
Sipas të dhënave paraprake, kamioni që drejtohej nga F. P., 48 vjeç, banues në Belsh, është përplasur me një motomjet që drejtohej nga E. K., 37 vjeç, banues në fshatin Seferan. Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i motomjetit ka pësuar dëmtime të rënda dhe ka ndërruar jetë në spital, pavarësisht ndihmës mjekësore.
Policia bën me dije se drejtuesi i kamionit është arrestuar në flagrancë nga specialistët e Qarkullimit Rrugor, ndërsa materialet procedurale janë referuar pranë Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme ligjore.
Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit. /noa.al
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë F. P., 48 vjeç, banues në Belsh. Arrestimi i tij u bë pasi, në aksin rrugor “Çepe–Belsh”, kamioni që ai drejtonte është përplasur me një motomjet, me drejtues shtetasin E. K., 37 vjeç, banues në fshatin Seferan. Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i motomjetit ka pësuar dëmtime të rënda dhe ka humbur jetën në spital.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.





