Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e sotme në Sukth, ku janë përplasur një automjet tip
Range Rover dhe një Citroen i bardhë. Përplasja ka qenë e fortë, duke bërë që Citroeni të përfundojë brenda ambienteve të një lokali buzë rrugës, duke shkaktuar dëme edhe në strukturën e biznesit.
Nga ngjarja kanë mbetur të plagosur tre persona, drejtuesi i Range Rover-it dhe dy pasagjerët e Citroenit, të cilët janë transportuar me urgjencë drejt spitalit, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore mbetet e paqartë.
Sipas dëshmisë së një qytetari, dyshohet se Range Rover-i po lëvizte me shpejtësi të lartë, ndërsa Citroeni i bardhë i ka prerë rrugën duke dalë nga një kryqëzim, çka ka sjellë përplasjen mes dy mjeteve.
Pas aksidentit, Range Rover-i është larguar nga vendngjarja me karrotrec, ndërsa automjeti i bardhë është lëvizur për të nxjerrë personat e lënduar.
Pamjet nga dëshmitari tregojnë Citroenin pranë lokalit dhe Range Rover-in duke u transportuar. Rrethanat e plota të aksidentit mbeten ende të paqarta dhe pritet një reagim zyrtar nga Policia për sqarimin e shkaqeve dhe dinamikës së ngjarjes.





