SOECZ

Cfarë lajmi i trishtë! Humb jetën ‘arstistja’ e shumë respektueshme shqiptare

Një lajm i trishtë ka ardhur mëngjesin e kësaj të premte. “Magjistarja” e grimit, Zhaneta Petushi është shuar larg atdheut, në Kaliforninë e largët, aty ku dhe e mira dhe e bukura Zhani, ashtu si dhe miqtë e afërt e thërrisnin, jetonte prej vitesh.

Lajmin e kobshëm për vdekjen e saj e ka bërë me dije regjisori Pëllumb Kulla, një njeri i dashur për artisten, i cili shpesh herë shkruante për të, herë urime ditëlindjesh e herë postime për virytet e saj. Por, jeta është e tillë duke të detyruar që të shkruash dhe të ndash edhe lajme hidhërimi, të cilat asnjëherë nuk do të dëshiroje që t’i shpërndaje.

Sipas regjisorit, Zhaneta Petushi nuk arriti të mposhte sëmundjen e tmerrshme, pavarësisht ndihmës së mjekëve amerikanë dhe djalit të saj, Xhorxhit i cili i qëndroi mbi kokë.

“NA LA ZHANI PETUSHI. Na la e mira Zhani… Na la, e bukura Zhaneta Petushi!

Një sëmundje e rëndë dhe e zgjatur nuk u mposht dot as nga spitalet amerikanë dhe mjekët e shquar të Çikagos dhe të Miamit, As edhe nga përkujdesjet ngulmonjëse të Xhorxhit, djalit të saj të shtrenjtë, dhe të njerëzve të saj të dashur, as nga lutjet drejtuar Zotit, prej artistëve të panumërt që ndiqnin luftën e saj drithëronjëse që nga viset arbërore dhe dhe që nga vendet shpërndarë nëpër botë.

Për ata që nuk e njohën, këtë artiste fort të shquar. por të pandjerë, duhet të themi se e kanë parë në qindra e qindra portretet e kolegëve aktorë, me të cilët grimjoria duarartë me penelat dhe pasqyrën e saj magjike ndërtonin figurat e paharrueshme të heronjve që mbushnin ekranet televizivë të hapësirave shqiptare. Gishtat e kësaj shërbëtoreje të përkushtuar të bukurisë, shëtitën ëmbël dhe me delikatesë, mbi ballin e Naim Frashërit, Sandër Prosit, Margarita Xhepës, Fatos Selës, Koço Devoles, Serafin Fankut e qindra e qindra të tjerëve.

Këtu, ca dhjetra kilometra larg trupit të saj pa jetë, të pikëlluar pa masë, e dijmë që po japim një lajm që do të godasë rëndë botën e artit shqiptar. E hidhur por e nevojshme kjo dije, që po përhapim. Dhe i themi shoqes tonë të rrallë: RRUGË TË MBARË, ZHANI, NËPËR KUJTIMET TONA TË SHTRENJTA! Pëllumb dhe Xhuljeta Kulla”, shkruan regjisori.

Zhaneta Petushi prej vitesh jetonte në Kaliforni, larg Shqipërisë që aq shumë e deshi. Breza të tërë artistësh, këngëtarë, aktorë, por edhe politikanë, kanë kaluar ndër vite në duart e saj. Për vite me radhë ajo ishte një nga grimieret më të dashura në Radio Televizionin Shqiptar dhe në Kinostudion “Shqipëria e Re”.

Vaçe Zelën, Zoica Haxhon, Edi Luarasin, Naim Frashërin..madje edhe Enver Hoxha, janë grimuar nga Petushi. Madje ajo ka qenë edhe pjesë e Asamblit Artistik të Ushtrisë. Në një intervistë të dhënë vite më parë, Petushi ka rrëfyer se si vendosi të tërhiqej nga Asambli për t’u bërë grimiere.

“Përvoja ime si valltare i takon fillimeve artistike… Që nga viti 1953 deri në vitin 1970 kam qenë pjesë e Ansamblit Artistik të Ushtrisë, një punë që më ka lënë mbresa të pashlyera. Për të kaluar në punën e grimieres më shtynë një grup shoqesh këngëtare dhe soliste të Operës dhe Baletit, dhe nxitësja kryesore ka qenë solistja Jorgjie Misa, gruaja e drejtorit të RTSHsë, Klimi Misa. Ishin të gjithë këta faktorë njëherësh që më shtynë për të provuar punën si grimiere”, ka thënë ajo më herët.

×