SOECZ

E DHIMBSHME! Ndahet nga jeta instrumentisti i njohur shqiptar

Është ndarë nga jeta mëngjesin e djeshëm instrumentisti i njohur fierak, Xhevit Metani, një nga figurat më të dashura dhe të respektuara jo vetëm për komunitetin rom, por për mbarë qytetin e Fierit.

Ai ishte një emër që rrihte në një me ritmin e zemrës së Myzeqesë. Me talentin dhe përkushtimin e tij, dha një kontribut të çmuar në dhjetëra festivale, aktivitete artistike, dasma dhe gëzime familjare, duke u bërë pjesë e pandarë e jetës kulturore të zonës. Me defin në duar, ai nuk luante thjesht muzikë, por përcillte histori, identitet dhe krenari në folkun myzeqar.

Që prej fillimit të viteve ’70, ai do të ishte pjesë i pandarë i Ansamblit “Myzeqeja”, ku debutoi si instrumentist i defit dhe vijoi rrugëtimin e tij artistik deri në vitin 2005. Një virtuoz i vërtetë, mjeshtër i paimitueshëm në plastikën dhe energjinë skenike, ai e shndërroi defin në një shpirt të gjallë myzeqar.

Në çdo festival folklorik, Xhevit Metani hapte programin artistik të Fierit me një pjesë solo në def – një moment që tashmë mbetet kujtim i paharruar për publikun.

Ikja e tij preku thellë zemrat e fierakëve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin. Për ndarjen e tij nga jeta ka reaguar edhe Drejtoria e Artit, Kulturës dhe Turizmit, duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit.

Ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit do të zhvillohet sot, në orën 13:00.

×