SOECZ

E FUNDIT/ Rikthimi i Veliajt në detyrë, zbardhet VENDIMI i Kushtetueses

Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke rrëzuar vendimet e Këshillit të Ministrave dhe Presidentit lidhur me shkarkimin e tij.

Në seancën plenare të 31 tetorit 2025, e kryesuar nga Holta Zaçaj dhe me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve, Gjykata shqyrtoi kërkesën e Veliajt, përfaqësuar nga avokatët Alban Dokushi dhe Ermal Yzeiraj. Subjekte të interesuara në proces ishin Presidenti i Republikës dhe Këshilli i Ministrave.

Me shumicë votash, Gjykata pranoi kërkesën e Veliajt dhe shfuqizoi vendimin nr. 539, datë 25 shtator 2025 të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij, duke e konsideruar të papajtueshëm me Kushtetutën. Po ashtu, u shfuqizua edhe dekreti nr. 350, datë 1 tetor 2025 i Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore në Tiranë, për pjesën që lidhet me Bashkinë e kryeqytetit, për shkelje të neneve 115, pika 2 dhe 3 të Kushtetutës.

Vendimi parashikon gjithashtu vazhdimin e pezullimit të efekteve juridike të dekretit presidencial për zgjedhjet në Tiranë, deri në hyrjen e këtij vendimi në fuqi.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare; u mor më 3 nëntor 2025 dhe u shpall më 12 janar 2026.

Në vendim shkruhet: “Vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili ka marrë për bazë vetëm faktin e mungesës tremujore në detyrë, nuk ka analizuar shkakun, rrethanat dhe as ndikimin e mungesës në ushtrimin e detyrës, duke mos vlerësuar nëse kjo situatë rridhte nga veprimet ose mosveprimet e vet kryetarit dhe nëse ajo mund të konsiderohej shkelje e rëndë e Kushtetutës ose e ligjeve.

Megjithatë, duhet vënë në dukje se është e mundur që mosparaqitja në detyrë për një periudhë të pandërprerë tremujore të përbëjë shkelje të rëndë në ushtrimin e detyrës nga kryetari i bashkisë, por gjithnjë kur ai mund dhe duhet të mbajë përgjegjësi, në ndryshim nga rasti konkret, ku kërkuesit nuk i atribuohet asnjë lloj përgjegjësie juridike. Në këtë rast shkelja e rëndë ka të bëjë me mospërmbushjen thelbësore të detyrës me vullnetin e tij, duke mbajtur në konsideratë se kryetari i bashkisë është organ ekzekutiv monokratik”.

×