Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në provincën e Bolonjës, ku një fëmijë 7-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra në një aksident rrugor.
Rreth orës 20:00, i mituri ishte duke udhëtuar me babain e tij 34-vjeç, drejtues i makinës tip “Volsvagen” ,e cila është përplasur me një Renault Clio, pranë një karburanti në zonën Granarolo, përgjatë rrugës Porrettana. Fatkeqësisht, gjatë transportimit drejt spitalit “Maggiore” të Bolonjës, fëmija ndërroi jetë, pasi nuk mundi t’u mbijetojë plagëve.
Babai dhe drejtuesi i makinës tjetër, një 20-vjeçar nga Bentivoglio, kanë mbetur të dy të plagosur dhe ndodhen në spitalin “Maggiore” në Bolonë, në gjendje të qëndrueshme.
Sipas të dhënave paraprake të karabinierëve, fëmija nuk kishte vendosur rripin e sigurimit, çka mund të ketë qenë faktor fatal në përplasjen e fortë.