Astrologia Meri Gjini ka bërë parashikimin e horoskopit në emisionin “Mes’dritë”, në Vizion Plus, me dyshen e moderatorëve Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova.
Nga dreka e ditës së sotme, kemi një trekëndësh të plotë dhe të bukur të Mërkurit mbi Marsin. Ata që kanë detyrime ose marrëveshje për të arritur, do të ishte mirë t’i vendosnin në axhendë gjatë ditës së sotme.
Çfarë keni të rëndësishme për të mbyllur këtë javë, duhet ta planifikoni sot ose nesër, megjithëse nesër gjërat do të jenë pak më selektive.
Nisjet e reja që diskutuam me Hënën e Re duhet të kenë filluar ose të nisin sot. Marsi te Demi dhe Mërkuri te Gaforrja japin mundësinë që fillimet të kenë ecuri të mirë, përndryshe mund të përballeni me vonesa ose anulime.
Mërkuri ka ulur pak ritmin, por ende nuk është kthyer në prapavijë. Kjo sjell një lloj selektiviteti në gjërat që do të mbajmë dhe në raportet njerëzore, pasi Venusi është përballë Plutonit. Gjithashtu, Dielli është në gradë të barabarta me Jupiterin te Gaforrja, gjë që favorizon planet e rëndësishme që lidhen me familjen, ndërtimin, zgjerimin ose mbrojtjen e saj.
Parashikimi për Shenjat e Zodiakut:
Dashi: Me Diellin pranë shenjës së tyre, lëvizjet dhe udhëtimet do të jenë të mbara. Zgjerimi social është pjesë e axhendës, ndërsa kjo periudhë katërditore është perfekte për marrëveshje shit-blerjeje dhe këmbime pronësish. Sa i përket emocioneve, Venusi u jep kontroll dhe favorizon ndjenjat e bukura, qoftë edhe ato të momentit.
Demi: Marsi ndodhet në shenjën tuaj, ndaj tensionet dhe ngarkesat nuk janë të pakta. Duhet të zgjidhni detyrimet e mbetura pezull që nga prilli, të pastroni axhendën dhe të qartësoheni profesionalisht. Ky intensitet do të vazhdojë deri në datën 28. Sot është ditë e mirë për të sqaruar diçka të rëndësishme në punë. Sa i përket financave, lëvizjet bankare duhet të jenë prioritet në axhendën tuaj sot.
Binjakët: Me Diellin në rritje, nuk duhet t’u jepni rëndësi vështirësive të vogla. Marsi po “pastron territorin” për të qartësuar planet tuaja për verën, sidomos në çështjet e punës. Shumë Binjakë do të marrin përsipër angazhime ose iniciativa të reja nga fundi i muajit. Marrëveshjet dhe premtimet përfundimtare nisin që sot. Venusi ndihmon në përmirësimin e humorit dhe korrigjimin e shqetësimeve të vogla në çift.
Gaforrja: Jupiteri është në shenjën tuaj dhe sot favorizon mbylljen e problematikave, marrëveshjeve dhe planeve të mëdha. Është koha për të kopsitur letra dhe shkresa për zhvillime që do të jenë shumë të fuqishme në fund të gushtit dhe gjatë vjeshtës. Duke qenë se Jupiteri dhe Dielli janë në rritje, do të arrini maksimumin e zgjidhjeve dhe lehtësirave deri në paraditen e datës 28.
Luani: Venusi është në shenjën tuaj, por përballë Plutonit, gjë që sjell humor të ndryshueshëm dhe pasiguri. Jeni në momentet e fundit të një cikli 12-vjeçar. Edhe pse Jupiteri te Gaforrja ju mbron nga vështirësitë e mëdha reale, Marsi në katërkëndësh e bën situatën sfiduese. Me kalimin e Diellit te Gaforrja në datën 21, do të mbyllni një fazë për të hapur një të re dhe më të gjatë.
Virgjëresha: Jupiteri është favorizues dhe ju ndihmon të pastroni “territorin” nga njerëzit dhe punët që nuk vlejnë. Sot është dita për të nisur këtë proces selektiviteti për të kanalizuar energjinë aty ku duhet. Punët që lidhen me distancat, rrjetet sociale apo internetin do të vazhdojnë të kenë momente pozitive.
Peshorja: Dielli është shumë favorizues për punët e vogla, ndërsa Venusi nxit sinqeritetin dhe lojën verore. Megjithatë, duhet të jeni selektivë me kë tregoni sinqeritet të tepruar, për t’u mbrojtur nga prapaskenat që mund të shfaqen pas datës 29. Jupiteri sjell fat dhe zgjidhje në çështjet që lidhen me familjen.
Akrepi: Ndiheni sikur axhenda juaj varet nga të tjerët, gjë që mund t’ju bëjë nervozë ose t’ju japë ndjesinë e ngecjes. Megjithatë, Jupiteri ju mbron. Për ata që kanë planifikuar fejesa, martesa apo evente familjare, priten surpriza shumë të bukura dhe ndihmë maksimale.
Shigjetari: Kjo është një periudhë e shkëlqyer për zgjerim familjar dhe vendime për pasardhës. Venusi ju ndihmon të mbani nën kontroll vështirësitë që mund t’ju pengojnë në vendimmarrje. Profesionalisht, gjërat do të qartësohen drejt fundit të muajit, i cili do të jetë shumë intensiv. Sot mund të nisni marrëveshjet e para falë pozicionit të favorshëm të Diellit, Mërkurit dhe Jupiterit.
Bricjapi: Marsi sjell ngarkesë, por ritmi është i shtruar dhe i qëndrueshëm. Edhe nëse përballeni me stres, siguria nuk do t’ju mungojë. Jupiteri përballë jush bën që të keni gjithmonë dikë gati për t’ju dhënë dorën në vështirësi. Ndikimi i Neptunit dhe Plutonit ju ndihmon të lartësoni emrin tuaj.
Ujori: Është një periudhë shumë e mirë. Dielli është favorizues dhe keni autokontroll të fortë mbi emocionet dhe situatat rreth e qark. Ka mundësi për lëvizje ekonomike pozitive. Projektet profesionale kërkojnë ende organizim, por do të favorizoheni ndjeshëm kur Marsi të kalojë te Binjakët për nisje të reja.
Peshqit: Situata paraqitet më e lehtësuar. Edhe pse Dielli në katërkëndësh tregon disa shqetësime ekonomike të mbartura, humori dhe rrjedha e axhendës do të jenë më të mira se javën e kaluar. Kini pak kujdes me nxitimin në lëvizje. Humori juaj do të vijë duke u përmirësuar drejt fundjavës, e cila premton gëzim dhe zgjidhje të rëndësishme.
/vizionplus.tv





