Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e kësaj të diele në Jalë,
në Bashkinë e Himarës, ku një person ka humbur jetën pas një aksidenti në dhomën e hotelit ku po qëndronte.
Sipas informacioneve paraprake, viktima dyshohet se ka rrëshqitur brenda dhomës së hotelit dhe ka goditur kokën me forcë. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur shërbimi mjekësor, i cili i ka dhënë ndihmën e parë dhe e ka transportuar drejt Spitalit të Himarës.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Sipas të dhënave paraprake nga Policia e Himarës, goditja në kokë i ka shkaktuar dëmtime shumë të rënda, përfshirë fraktura në kafkë dhe trauma të rënda cerebrale, që rezultuan fatale.
Policia ka nisur hetimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa paraprakisht dyshohet se bëhet fjalë për një aksident. Identiteti i viktimës nuk është bërë ende publik.




