SOECZ

K*kainë në lokale, tabakino dhe taksi, goditet grupi kriminal në Tiranë, 27 të arrestuar (EMRAT)

Prokuroria e Tiranës ka njoftuar sot se ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Labirinti 2”, duke goditur një grup të strukturuar kriminal të përfshirë në shitjen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në kryeqytet.

Sipas autoriteteve, gjatë hetimeve janë identifikuar gjithsej 33 persona, të cilët vepronin individualisht ose të organizuar në grupe, duke ushtruar veprimtari të paligjshme të shitjes së narkotikëve në forma të ndryshme.

Për 22 prej tyre është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”. Pesë persona ishin arrestuar më herët gjatë hetimeve dhe gjashtë të tjerë janë në kërkim.

Në kuadër të operacionit u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit:

Renaldo Dalipi, Engelbert Pjetri, Armandi Hajdini, Olsi Mici, Fatjon Cela (Çela), Xhon Boci, Laert Murataj, Artan Pullazi, Erald Sina, Blerim Mali, Gentjan Vercani, Valerjos Bushi, Olkid Hajdari, Dylber Alijaj, Angjelos Mema, Majdi Musa,Jurgen Hekurani, Erdison Gjella, Abdurahman Bollati, Klodian Rrucaj, Indri Nakaj dhe Genti Kraja

Gjatë operacionit, forcat e rendit sekuestruan rreth 500 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 10 kilogramë Cannabis Sativa, rreth 100 doza të kësaj lënde, si edhe pesë automjete, 28 aparate celularë, gjashtë peshore elektronike dhe një shumë prej 3 mijë eurosh.

Prokuroria bën me dije se aktiviteti kriminal ishte i shtrirë në disa zona të Tiranës, kryesisht në Bllok, Kamëz, Laprakë, Selitë, Tiranë e Re, Shkozë, Ali Demi, Xhamllik, Pazari i Ri, Shkolla e Kuqe, Astir, Myslym Shyri dhe Komuna e Parisit. Lëndët narkotike shiteshin në lokale, tabakino, mjete taksi, si dhe përmes shpërndarjes së kamufluar si porosi të ndryshme.

Hetimet treguan se gjatë periudhës hetimore janë arrestuar edhe pesë persona të tjerë, të cilëve u janë sekuestruar sasi të ndryshme lëndësh narkotike.

“Gjatë periudhës hetimore janë arrestuar shtetasit: A. V., 23 vjeç, E. P., 22 vjeç, G. V., 19 vjeç, S. C., 22 vjeç dhe R. Gj., 22 vjeç, të cilëve iu janë sekuestruar sasi të ndryshme lëndësh narkotike.”, thotë njoftimi.

Ndërkohë, gjashtë shtetas të tjerë vijojnë të jenë në kërkim dhe puna po vazhdon për kapjen e tyre dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.