Moderatorja Luana Vjollca do të rikthehet në ekranin e Top Channel me programin e saj më të suksesshëm, “Shiko kush luan”.
Pas disa eksperiencave në televizione të ndryshme, ajo ka vendosur t’i rikthehet formatit që e konsideron si pikën më të lartë të karrierës së saj.
Gjatë një interviste në emisionin “Goca dhe gra”, Luana u pyet fillimisht për arsyen se pse nuk do ta moderojë edicionin e ri të “Ferma VIP”, pas suksesit të vitit të kaluar.
“Është e rëndësishme të dish kur ndalon diçka për një hap më të madh. Ose diçka tjetër në jetën tënde. Unë kam qejf të rritem gjithmonë”, u shpreh ajo, duke lënë të kuptohet se projekti i ri kërkon përkushtim të plotë.
Lidhur me rikthimin e shumëpritur, Luana nuk i fshehu emocionet dhe vlerësimin për kërkesën e vazhdueshme të ndjekësve.
“Vula ime e suksesit ishte emisioni ‘Shiko kush luan’. Nuk e them vetëm unë. E thotë i gjithë publiku që edhe pas kaq shumë vitesh e kërkojnë”, deklaroi moderatorja, duke shtuar se edhe asaj vetë i ka munguar atmosfera dhe lojërat e këtij formati.





