SOECZ

Moti pritet të bëjë kthesën drastike pas temp përveluese ‘Stuhi dhe rrebeshe të forta nga kjo ditë…’

Moti gjatë fundjavës do të karakterizohet nga kthjellime dhe temperatura të larta, me vlerat maksimale që pritet të arrijnë deri në 41 gradë Celsius. Situata do të vijojë e qëndrueshme edhe në fillim të javës, me mot të kthjellët dhe temperatura të larta.

Megjithatë, nga mesi i javës pritet një ndryshim i kushteve atmosferike, me shtim të vranësirave, reshje shiu me intensitet të ulët dhe shtrëngata afatshkurtra të shoqëruara me shkarkesa elektrike.

“Pozicionimi i zonës me presion atmosferik të lartë mbi Europë dhe forcimi i anticikloneve afrikanë dhe atij të Azoreve kanë bërë që të kemi mot të nxehtë dhe ditë të plota me diell.

Në fundjavë vendi do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme me mot të kthjellët dhe diell, por nuk do të mungojnë vranësirat e pakta në relievet malore.

Erërat do të fryjnë me shpejtësi 7 metra për sekondë, duke bërë që valëzimi në dete të jetë i forcës 1-2 ballë. Përsa i përket kushteve termike, temperaturat parashikohen të jenë 22-41 gradë Celsius.

E njëjta situatë edhe për fillimjavën, ku moti parashikohet i kthjellët. Temperaturat do të vazhdojnë të kenë rritje, 40-41 gradë Celsius.

Përkeqësim të kushteve pritet në mesjavë. Do të kemi mot të vranët dhe vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit, por nuk do të mungojnë edhe reshjet në formën e shtrëngatave afatshkurtra, shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Era do të fryjë me shpejtësi 8 metra për sekondë deri në 18 metra për sekondë. Pritet rënie e ndjeshme e temperaturave, ku parashikohet të jenë jo më shumë se 35-36 gradë Celsius”, u shpreh sinoptikania Elida Maloçali.