Këngëtari i mirënjohur, Dashnor Diko, ka qenë i ftuar në “Galeri” në “E Diell”, ku ka bërë një rrëfim mes lotësh për familjen, karrierën e re dhe pse e la muzikën.
Kur në ekran iu shfaq një fotografi familjare, këngëtari nuk i mbajti dot lotët dhe tregoi se nga personat që janë në atë foto, vetëm ai jetonte.
“Kjo është familja ime e madhe, po e vogël. Fatkeqësisht të gjithë ata persona që janë në foto, vetëm unë jam sot. Aty është babi, mami, motra dhe vëllai. Kanë qenë njerëzit që mua më nxorën në pah atë që kisha dhuratë nga Zoti, muzikën, talentin.
Gjithmonë më kanë mbështetur, paçka vështirësitë e atyre viteve, gjithmonë kishin besim se unë do ia dilja. Kur ia arrita kësaj dite, nuk i kisha më. Të paktën prindërit dhe motrën. Do jepja gjithçka vetëm për një përqafim. Më mungojnë. Si çdo familje ka gëzimet dhe hidhërimet e veta.
Po e kam patur si pak më të ngarkuar segmentin e jetës që kam jetuar me prindërit. Në një moment motra ime ndërroi jetë në moshën 21 vjeç dhe më pas mamaja u sëmur. Doli në kemp, por e ka përjetuar shumë keq.
E atë përjetim e kam përjetuar dhe unë. Kam qenë i vogël, kam qenë rreth 12-13 vjeç, derisa mamaja ndërroi jetë. Më pas babi. Më vonë, para 6 vitesh vëllai. Ata nuk më takojnë mua, por do vijë moment që do i takoj se është ligji i natyrës, do jem pranë atyre”, tha Dashnor Diko.
I pyetur ‘e qenë shumë i lidhur me babain në momentin që është ndarë nga jeta nëna?’, artisti u shpreh:
“Kam jetuar vetëm me babin 7 vite, sa u martova unë. Ka qenë një periudhë shumë e vështirë, babai ishte në shumë moshë”.




