SOECZ

Një tërmet i fortë ”shkund” vendin fqinj, ja sa ishte magnituda!

Një tërmet me magnitudë 5.2 ballë të shkallës Rihter është regjistruar pasditen e sotme, pak pas orës 14:00 sipas orës lokale, pranë ishullit të Karpathos. Lëkundjet sizmike janë ndjerë në zonën përreth, duke shkaktuar shqetësim te banorët dhe pushuesit, megjithëse deri tani nuk raportohet për dëme materiale apo persona të lënduar.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Gjeodinamik i Observatorit Kombëtar në Athinë, epiqendra e tërmetit u lokalizua rreth katër kilometra në veriperëndim të ishullit të Karpathos.

Ndërkohë, thellësia fokale e lëkundjes është vlerësuar rreth 10 kilometra nën sipërfaqen e tokës, çka konsiderohet një tërmet relativisht i cekët dhe mund të bëjë që lëkundjet të ndihen më fort në zonat pranë epiqendrës.

Autoritetet greke po monitorojnë situatën dhe deri në këto momente nuk kanë raportuar për pasoja serioze.

Ekspertët vijojnë të ndjekin aktivitetin sizmik në rajon, ndërsa qytetarëve u është bërë thirrje të ruajnë qetësinë dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve në rast të lëkundjeve të tjera.