jë ngjarje e rëndë ndodhi në zonën e Paskuqanit pak para mesditës, ku një 27-vjeçar, i cili po ecte në këmbë në rrugicë bashkë me shokët e tij, kur ra pre e sulmit me armë nga një 39-vjeçar, i cili qëlloi nga një makinë në lëvizje. I riu u identifikua si Ardian Baloshi, mori disa plumba kallashnikovi dhe u përcoll në spital nga shokët e tij, ku mbërriti pa shenja jete.
“Rob i vetëm. Jetonte me nënën, veç nënën, as motër, as vëlla, as baba. Mori plumb në kokë ai, nuk shpëtonte më”, dëshmoi një nga shokët e viktimës për gazetaren e Top Channel Dorjana Bezat.
Ndërsa autori, Sadik Llanaj, pas ngjarjes u largua me makinë në drejtim të paditur. Për arrestimin e tij, duke qenë se lëviz i armatosur, policia angazhoi forcat RENEA. Top Channel mëson se autori së bashku me viktimën banonin në të njëjtën lagje dhe shpesh shoqëroheshin me njëri-tjetrin.
Miqtë e përbashkët u shprehën të habitur mbi këtë ngjarje pasi nuk ishin në dijeni të një konflikti mes tyre. Jashtë kamerave ata treguan për Top Channel se autori qëlloi disa metra drejt 27-vjeçarit.
“Një i çmendur kot pa lidhje”, u shpreh një nga shokët e Ardian Baloshit për autorin e dyshuar, Sadik Llanaj./ Top Channel




