Aktori i njohur Laert Vasili ka reaguar publikisht pas përjashtimit të tij të bujshëm nga roli i opinionistit në emisionin “Për’puthen”.
Kujtojmë se vendimi drastik i produksionit erdhi pasi ai puthi në buzë një konkurrente të programit, veprim ky i bërë kundër dëshirës së saj.
Gjatë një interviste të dhënë së fundmi, pamjet e së cilës po qarkullojnë kudo në rrjet, Vasili ka zgjedhur të theksojë atë që ai e konsideron si një standard të dyfishtë.
Ai ka ironizuar drejtpërdrejt moderatoren e emisionit, Megi Pojani, të cilën gjatë fjalës së tij e etiketon me nofkën ironike “shoqja Lenka”.
Aktori theksoi se, ndonëse vetë vajza e përfshirë në incident e kishte pranuar faljen e tij, ishte moderatorja ajo që e bëri situatën të dukej edhe më e rëndë me qëndrimin e saj publik.
“Vajza tha po, unë e pranoj ndjesën e Laertit… shoqja Lenka mori pozicion dhe tha ne distancohemi, promovojmë vlerat. Pra unë qenkam një antivlerë, m’u duk vetja si plehrë,” – shprehet ai i zhgënjyer nga ky reagim.
Por, pjesa më thumbuese e deklaratës së tij ishte rikujtimi i një momenti të mëparshëm nga vetë moderatorja.
Vasili i kujtoi Megit faktin që pak kohë më parë, edhe ajo vetë kishte puthur një tjetër konkurrente femër në buzë brenda të njëjtit program, dhe asokohe askush nuk e bëri problem.
Ai theksoi me ironi se kur “shoqja Lenka” u puth me “shoqen Tefta”, çdo gjë ishte normale dhe askush nuk doli të fliste për “vlera” apo ta gjykonte.





