Socialistët nuk do ta ndërpresin fushatën për zgjedhjet e 9 nëntorit në Tiranë, pavarësisht vendimit të pezullimit të dekretit të presidentit për këtë bashki nga Gjykata Kushtetuese.
Në një mesazh që ju është shpërndarë drejtueseve të njësive socialiste në Tiranë iu shpjegohet pse duhet të vazhdojnë punën edhe pas vendimit të sotëm të gjyqtarëve kushtetues.
“Ne nuk i komentojmë vendimet e gjykatave, për më shumë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Por mund të themi se, Gjykata Kushtetuese ka marrë sot një vendim, siç parashikohet në nenin 45, pika 1 të ligjit ‘Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese’, për pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë. Po ky ligj sqaron në pikat 3 dhe 4 të nenit 45, se GjK mund ta heqë pezullimin ose të shprehet në vendimin përfundimtar për vazhdimësinë ose jo të masës së pezullimit.”
Në mesazh argumentohet pse vendimi përfundimtar dhe jo ai paraprak i nxjerrë sot ka rëndësi.
“Pezullimi nuk është shfuqizim i Dekretit, për pasojë palët e interesuara, por edhe publiku, duhet të presin vendimmarrjen e mëtejshme të Gjykatës Kushtetuese. Vetëm vendimi përfundimtar mund të shfuqizojë ose jo një ligj ose një akt, në rastin në fjalë dekreti i Presidentit.”
Ndaj strukturave të Partisë Socialiste iu është kërkuar nga drejtuesit e kësaj force të vazhdojnë punë, pasi vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese nuk i prek zgjedhjet e 9 nëntorit, ndërsa u bëhet me dije se vendimi përfundimtar i Gjykatës do të jepet më 31 tetor./Tv Klan