Këshilli i Ministrave miratoi këtë të martë një sërë vendimesh që do të ndikojnë në fushën sociale, me qëllim rritjen e mbështetjes për individët me aftësi të kufizuara, për familjet e tyre si dhe për ndihmësit që u shërbejnë atyre.
Një nga masat kryesore është dyfishimi i pagesës për 10,240 fëmijë me aftësi të kufizuara, që do të sjellë një shtesë prej 750 milionë lekësh në Buxhetin e Shtetit. Ky ndryshim do të hyjë në fuqi me efekt financiar nga 1 korriku 2026.
Sipas informacionit nga qeveria, qëllimi i mbështetjes financiare është përmirësimi i cilësisë së jetës për fëmijët me aftësi të kufizuara, duke lehtësuar ngarkesën ekonomike të familjeve dhe nxitjen e ndërhyrjeve të hershme, zhvillimin e aftësive si dhe integrimin social të tyre.
Një tjetër risi e rëndësishme është heqja e detyrimit për të paraqitur çdo vit dokumentacionin mjekësor pranë komisioneve të vlerësimit, për rastet ku periudha e përfitimit është disa vjeçare. Qeveria thekson se kjo masë do të ndihmojë në zvogëlimin e procedurave administrative dhe kostove për përfituesit.
Po ashtu, paketa përfshin njohjen e periudhave kontributive për 14,657 ndihmës personalë të personave me aftësi të kufizuara, me një efekt financiar shtesë prej 674 milionë lekësh në Buxhetin e Shtetit. Ky dispozit do të nisë të zbatohet nga 1 shtatori 2026.
Me këtë vendim, periudha e shërbimit të ndihmësve personalë do të njihet si periudhë kontributive për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, që ka si synim forcimin e kujdesit në familje dhe reduktimin e nevojës për institucionalizim.
Paketën e miratuar e plotësojnë ndryshime të tjera në vendimet e Këshillit të Ministrave që rregullojnë pagesat për individët me aftësi të kufizuara, përfitimet për ata me status të verbrit, procedurat e vlerësimit të aftësisë së kufizuar, si dhe mbrojtjen e veçantë për gratë e papuna që kanë tre ose më shumë fëmijë deri në 18 vjeç.





