Në një lidhje direkte për Ora News, sinoptikania Lajda Porja ka folur për ndryshimet e pritshme të motit në vend gjatë ditëve në vijim, duke dhënë një panoramë të qartë të temperaturave dhe reshjeve.
Ajo bëri me dije se vendi po kalon një fazë të nxehtë me temperatura që sot arrijnë deri në 40 gradë në disa qarqe, ndërsa në ditët në vijim pritet një rënie graduale.
“Territori shqiptar do të ketë një freskim të motit dhe një normalizim të temperaturave. Sot priten deri në 40 gradë në Shkodër dhe Elbasan.”-tha ajo.
Sipas parashikimeve, të martën dhe të mërkurën temperaturat do të ulen lehtë me rreth 0.5 deri në 1 gradë, duke mbetur ende në vlera të larta 38–39 gradë.
“Të enjten pritet ndryshimi më i madh, me rënie prej 4 deri në 5 gradë. Nga ajo ditë e në vijim temperaturat do të stabilizohen në 33–34 gradë.”-shtoi Porja.
Nga e enjtja deri në fundjavë, moti pritet të jetë më i qëndrueshëm me temperatura më të ulëta krahasuar me ditët e fundit, ndërsa pasditeve do të ketë reshje në pjesën më të madhe të vendit, kryesisht në zonat lindore.
Qytete si Tirana, Elbasani, Librazhdi, Gjirokastra, Përmeti dhe Tepelena rrezikojnë rrebeshe shiu, ndërsa bregdeti do të mbetet kryesisht i kthjellët, me përjashtim të ndonjë reshjeje të shkurtër në zonën e Velipojës.
Parashikimi tregon se paraditet do të vijojnë me mot të nxehtë dhe me diell, ndërsa pas orës 15:00–16:00 pritet shtim i vranësirave dhe reshjeve në shumë zona të vendit.





