SOECZ

Situat e frikshme! ‘Sdi asgjë për djalin e burrin..’ Banorët në lot pas carjes së argjinatures së Semanit ‘Uji erdhi fuqishëm dhe…’

Çarja e argjinaturës së lumit Seman në disa segmente ka shkaktuar përmbytje të mëdha në fshatin Hasturkas, në njësinë administrative Libofshë,

duke vënë nën ujë qindra hektarë tokë bujqësore dhe rreth 20 banesa.

Banorët, të cilët kanë qëndruar në gatishmëri gjatë gjithë natës, shprehen të alarmuar nga situata dhe pasojat e rënda të përmbytjes.

Si pasojë e rrezikut, 9 persona janë evakuuar dhe janë strehuar pranë të afërmve, ndërsa disa familjarë raportojnë se kanë humbur kontaktet me të afërmit e tyre të izoluar nga uji.

“Stallën me bagëti e kam të përmbytur, kam rreth 200 dele. Nuk arritëm t’i nxirrnim, uji erdhi me forcë.

Me bashkëshortin dhe djalin nuk kam asnjë kontakt dhe nuk e di në çfarë gjendjeje ndodhen. Dua vetëm të shkoj t’i shoh,” shprehet mes lotësh një banore e zonës.

Banorë të tjerë theksojnë se kjo është hera e parë që përballen me një përmbytje të këtyre përmasave.

“Nuk mbaj mend të ketë ndodhur ndonjëherë diçka e tillë këtu. Argjinaturat nuk po mirëmbahen,” thotë një prej tyre.

Situata është kritike edhe për çobanët dhe bagëtitë e mbetura të izoluara. “Kanë tre ditë pa ushqim dhe pa ujë. Nuk e dimë ku ndodhen dhe nuk kemi mundësi komunikimi. Kërkojmë një zgjidhje urgjente për t’i nxjerrë,” shprehet një tjetër banor.

Ndërkohë, forcat e ushtrisë janë angazhuar në terren me varka, si në zonën e përmbytur ashtu edhe pranë stallave të bagëtive, për të evakuuar çobanët dhe për të shpëtuar bagëtitë e rrezikuara. Banorët fajësojnë njëzëri mungesën e masave për forcimin dhe mirëmbajtjen e argjinaturës, veçanërisht në segmentet më problematike të saj.

×