SOECZ

Stuhi, breshër gjigant dhe erëra shkatërruese – Ballkani në ALARM, ja çfarë pritet në orët e ardhshme

Ballkani pritet të përballet me një përkeqësim të ndjeshëm të motit, me stuhi të fuqishme që mund të sjellin fenomene ekstreme gjatë ditëve në vijim.

Qendra Evropiane për Parashikimin e Stuhive ka ngritur nivelin më të lartë të alarmit (Niveli 3) për disa zona të rajonit, duke paralajmëruar zhvillimin e stuhive të rrezikshme nga e marta deri në orët e para të së mërkurës.

Sipas parashikimeve, zonat më të ekspozuara janë jugu i Kroacisë, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova. Shqipëria është përfshirë në nivelin 1 të rrezikut, ku priten fenomene më të kufizuara, por gjithsesi me mundësi për reshje intensive dhe stuhi të forta.

Meteorologët paralajmërojnë mundësinë e formimit të superqelizave dhe sistemeve të organizuara të stuhive, të cilat mund të shoqërohen me breshër të madh, erëra shumë të forta dhe në raste të rralla edhe tornado.

Sipas analizave, disa sisteme të fuqishme stuhish të krijuara mbi Itali mund të kalojnë përmes Adriatikut drejt Evropës Juglindore, duke prekur vendet e Ballkanit Perëndimor.

Autoritetet dhe qytetarët janë këshilluar të ndjekin paralajmërimet e motit, pasi kombinimi i erërave të forta, breshrit dhe reshjeve intensive mund të shkaktojë dëme në zona të prekura.

Përveç Ballkanit, nivele më të ulëta alarmi janë shpallur edhe për pjesë të Italisë, Rumanisë dhe Bullgarisë.