Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së hënës zonën e Kastorias në Greqi ku një 16-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në një aksident tragjik rrugor.
Newsbomb mëson se viktima është identifikuar si Emiljo Gavri, një i mitur nga fshati i Kapështicës i cili prej vitesh jetonte së bashku me familjen e tij në Greqi, në kërkim të një jete më të mirë dhe një të ardhme më me shumë mundësi. Por fatkeqësisht ëndrrat e Emiljos i cili donte të bëhet një futbollist i madh u ndërprenë në mënyrë të parakohshme dhe të dhimbshme, duke lënë pas një boshllëk të madh te familjarët, shokët dhe komuniteti ku ai jetonte.
Sipas të dhënave paraprake një grup të rinjsh, mes tyre një i rritur dhe katër të mitur po udhëtonin me një mjet bujqësor në zonën Dasaki të Mesopotamisë, kur në rrethana ende të paqarta, mjeti doli nga rruga dhe u përmbys. Gjatë përmbysjes disa prej pasagjerëve ndodheshin në pjesën e pasme dhe u plagosën rëndë.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat e policisë greke ELAS dhe shërbimet emergjencës EKAB. Fatkeqësisht për 16 vjeçarin ishte tepër vonë, pasi ai u nxor nga mjeti me plagë fatale dhe i pajetë. Ndërkohë që katër të plagosurit e tjerë u transportuan me urgjencë në spital ku dhe po vijojnë të qëndrojnë.
Fillimisht sa i përket këtij aksidenti u raportuan versione të ndryshme mbi shkaqet e aksidentit, përfshirë mundësinë e shmangies së një kafshe të egër në rrugë, mirëpo këto pretendime janë hedhur poshtë pas hetimeve paraprake të autoriteteve.
Humbja e Emiljos ka shkaktuar tronditje të madhe jo vetëm te familja dhe miqtë e tij, por dhe në komunitetin shqiptar në Greqi dhe më gjerë. Bashkëmoshatarët e tij kanë reaguar të prekur në rrjetet sociale, duke shkruar mesazhe lamtumirë.
“U prehsh në paqe vëlla”, shkruan njëri prej tyre.





