Detajet e plota të ngjarjes së rëndë në fshatin Vidhishtë të Roskovecit, e cila rezultoi me humbjen e jetës së tre personave, janë bërë tashmë të qarta.
Rreth orës 05:00 të mëngjesit të së enjtes, Refit Buzi, 35 vjeç, i njohur ndryshe si Nertil Buzi, u fut brenda shtëpisë së familjes Plaka duke mbajtur me vete një armë gjahu. Në ato çaste, Kosta (Arben) dhe Belere Plaka po bëheshin gati të largoheshin për në punë.
Në momentin që hyri në banesë, 35-vjeçari qëlloi menjëherë mbi çiftin. Kosta Plaka ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa Belerie Plaka u dërgua me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit me plagë të rënda. Pavarësisht një operacioni kirurgjikal që zgjati mbi pesë orë, ajo nuk mundi t’u mbijetonte plagëve.
Pas kryerjes së krimit, 35-vjeçari rrëmbeu 24-vjeçaren, me të cilën kishte pasur një raport prej nëntë vitesh, dhe u largua nga ana e pasme e shtëpisë.
Ai u shfaq më pas në fshatin Kurjan, ku pas ndjekjes nga policia, e la vajzën të lirë dhe pa asnjë dëmtim. Për rreth shtatë orë, forcat e Policisë së Shtetit negociuan me autorin për t’u dorëzuar, por ai nuk pranoi dhe përfundimisht zgjodhi t’i japë fund jetës duke kryer vetëvrasje.
Kjo lidhje e nisur në rini përfundoi në një tragjedi të pashoqe, duke shkaktuar vdekjen e tre personave dhe duke shkatërruar përfundimisht dy familje.





