Një krim i rëndë ka tronditur Prizrenin, ku një burrë është arrestuar pasi ka plagosur me thikë
bashkëshorten dhe vajzën e tyre të mitur, duke i lënë të dyja viktimat në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ngjarja u raportua në orën 00:20 të 17 tetorit. Patrulla policore, sapo mbërriti në vendngjarje, hasi në bashkëshorten e të arrestuarit e cila gjendej në rrugë me “lëndime trupore dhe gjakderdhje të shkaktuara nga thika”.
Më pas, në katin e fundit të ndërtesës u gjet edhe viktima e dytë, vajza e mitur, e cila gjithashtu kishte lëndime trupore.
Të dy viktimat janë dërguar menjëherë për trajtim në spitalin rajonal të Prizrenit, por sipas Prokurorisë, “gjendja shëndetësore e të dy viktimave është e rëndë”. I dyshuari u identifikua dhe u arrestua në hyrje të banesës. Prokuroria ka njoftuar se do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin, ndërsa vazhdon hetimet.
Ky rast vjen në një periudhë ku Kosova ka shënuar rritje të rasteve të dhunës në familje, ku në vitin 2024 u raportuan 2,959 raste.
Që nga viti 2010, në Kosovë janë vrarë rreth 60 gra, ku në shumicën dërrmuese të rasteve autorë të këtyre krimeve kanë qenë bashkëshortët ose ish-bashkëshortët.