Bilanci i aksidentit të rëndë të ndodhur këtë pasdite në afërsi të rrethrrotullimit të TEG-ut është rënduar, pasi një prej të dëmtuarve që ishte dërguar për trajtim mjekësor ka ndërruar jetë në spital. Informacionet e fundit tregojnë se dy personat që udhëtonin me betonierë dyshohet se kanë shtetësi egjiptiane.
Për shkak të këtij fakti, emrat e tyre nuk janë bërë ende të ditur, ndërkohë që policia është duke kryer verifikimet e nevojshme.
Ngjarja rezultoi fatale që në momentet e para për njërin prej tyre, i cili vdiq në vend, ndërsa shoku i tij ndërroi jetë më vonë në spital për shkak të plagëve të rënda.
Nga ky incident rrugor pësoi lëndime edhe drejtuesi 28-vjeçar i një automjeti tip "Audi", i identifikuar si Roland Nuri, i cili për fat të mirë nuk rrezikon jetën.
Aktualisht, grupi hetimor po punon intensivisht për të sqaruar dinamikën dhe shkaqet e sakta që sollën këtë përplasje.





