Moderatorja Arbana Osmani ka shkaktuar një valë të fortë kritikash në rrjetet sociale, pasi njoftoi se i ftuari i radhës në emisionin e saj “Mirëmbrëma Yje” do të jetë reperi Fero, i cili njihet për akuzat e rënda për dhunë ndaj ish-partneres, Arbenita Ismajli.
Ky reagim negativ është i dyti për këtë sezon, pasi Arbana u kritikua ashpër edhe kur ftoi në emision Princ Lekën, pas skandalit në pallatin Mbretëror dhe aludimeve për tradhti ndaj ish-bashkëshortes, Elia Zaharia.
Shkak i shpërthimit të fundit të ndjekësve është Fero, i cili u denoncua në Polici nga Arbenita pas ndarjes dhe është akuzuar publikisht në rrjetet sociale për dhunë, çka i ka ndaluar edhe takimin me vajzën.
Edhe pse Fero në emision synon të rrëfejë versionin e tij mbi ngjarjen, ndjekësit e konsiderojnë dhënien e hapësirës televizive si promovim të dhunës.
Komentet në rrjet ishin të shumta dhe të ashpra. Disa prej tyre ishin: “Tmerr, dhunuesit i jepet hapësirë publike,” “E paske vendos këtë vit të promovosh tradhtarët dhe dhunuesit,” dhe “Arbana paska marrë listën e dhunuesve në polici dhe paska vendose me i intervistu.”
Një tjetër shkruante: “Bravo, ashtu, vazhdoni promovoni dhunues,” dhe “Sezoni i parë ishte për t’u argëtuar, i dyti për gjyqle publike.”
Ky zemërim i publikut tregon qartë se zgjedhjet e Arbanës po ndikojnë te perceptimi i formatit të saj.