Një shtetas me inicialet V.Sh është ndaluar nga shërbimet e Policisë Kufitare në Kapshticë, pasi po tentonte të largohej nga Shqipëria. Ngjarja ka ndodhur dy javë më parë, në qytetin e Bilishtit dhe autori është arrestuar sot teksa përpiqej t’i shpëtonte drejtësisë.
Në vijim të punës intensive të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, është kapur nga shërbimet e Kufirit të Gjelbërt në PKK Kapshticë, në fshatin Vërnik, shtetasi V. Sh. që po tentonte të kalonte kufirin, në kundërshtim me ligjin.
Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimeve të Rënda ndaj Personit ekzekutuan urdhrin e ndalimit që ka nxjerrë Prokuroria e Korçës për shtetasin V. Sh., 35 vjeç, banues në Bilisht.
Ai akuzohet për veprat penale “Vrasja për shkak të mardhënieve familjare” mbetur në tentativë dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Ky shtetas dyshohet se më datë 04.10.2025, ka goditur disa herë me thikë, gjyshin e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.