Duke filluar nga dita e nesërme qytetarët që përdorin linjën rubane Kamëz-Tiranë, dhe linjën Paskuqan-Babrru-Tiranë, do të paguajnë 50 lekë biletën e urbanit, dhe 1400 lekë për abonenë mujore.
Pas këtij lajmi Bashkia Kamëz, ka publikuar në llogarinë e saj në rrjetin social “FaceBook”, vendimin e marrë nga këshilli i bashkisë, në të cilin sqarohen arsyet e rritjes së çmimeve të biletave dhe aboneve për qytetarët.
Sipas vendimit, i cili është marrë në fakt që në muajin shtator por do të fillojë të vihet në zbatim tani, arsyeja që këto çmime janë rritur ka të bëjë me distancën e largët me Tiranën, që është 8 kilometra.
Kujtojmë se Operatori i linjës ka dorëzuar pranë Drejtorisë së Transportit të Bashkisë Kamëz një kërkesë për rritjen e tarifës, të mbështetur me analizë të detajuar të kostove dhe argumente ekonomike.

Në dokument thuhet se shtimi i çmimeve të karburanteve dhe i shpenzimeve operative e bën të nevojshme përshtatjen e tarifës aktuale. Më pas, Bashkia Kamëz, e drejtuar nga kryebashkiaku Rakip Suli, ka hartuar një relacion teknik dhe financiar për arsyetimin e ndryshimit të çmimit.
Ky propozim është shqyrtuar nga komisionet përkatëse të Këshillit Bashkiak që mbulojnë ekonominë, financat dhe transportin, dhe në fund është miratuar me votim nga Këshilli Bashkiak.





