Të tjera detaje janë zbardhur lidhur me ngjarjen tragjike që ka ndodhur në Orikum, ku një grua humbi jetën dhe bashkëshorti i saj u gjet i vetëvrarë.
Sipas burimeve, pas një konflikti të dhunshëm, burri dyshohet se ka dhunuar bashkëshorten dhe më pas e ka transportuar atë në urgjencën e spitalit, ku ajo ka mbërritur pa shenja jete.
Hetimet paraprake ngrejnë dyshime të forta se, përveç dhunës fizike, viktima mund të ketë qenë e mbytur me duar. Pas lënies së gruas në spital, autori është kthyer në banesë, ku më pas dyshohet se ka kryer vetëvrasje.
Çifti kishte dy fëmijë dhe familjarët kanë deklaruar për policinë se Llogora Xhebro dhe Bozhe Bozhani ishin ndarë prej dy muajsh, por sot 52-vjeçari e dhunoi për vdekje ish-bashkëshorten dhe më pas vrau veten.
Sipas të afërmve, konfliktet mes tyre nuk ishin denoncuar më parë në polici. Hetuesit dyshojnë se problemet e vazhdueshme familjare mund të kenë qenë shkaku që çoi në këtë ngjarje të rëndë. Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.





