Të tjera detaje janë zbardhur lidhur me ngjarjen tragjike të ndodhur në Orikum, ku një grua humbi jetën dhe bashkëshorti i saj u gjet i vetëvrarë.
Burime bëjnë me dije se pas një konflikti të dhunshëm, burri dyshohet se e ka dhunuar bashkëshorten dhe më pas e ka transportuar atë në urgjencën e spitalit, ku ajo ka mbërritur pa shenja jete.
Hetimet paraprake ngritin dyshime se, përveç dhunës fizike, viktima mund të jetë mbytur me duar.
Pasi e ka lënë gruan në spital, autori është kthyer në banesë, ku më pas dyshohet se i ka dhënë fund jetës së tij.
Çifti kishte dy fëmijë, ndërsa familjarët kanë deklaruar për policinë se kohët e fundit marrëdhënia mes bashkëshortëve ishte e tensionuar dhe ata ndodheshin në prag të ndarjes.
Sipas të afërmve, konfliktet mes tyre nuk ishin denoncuar më parë në polici. Hetuesit dyshojnë se problemet e vazhdueshme familjare mund të kenë qenë shkaku që çoi në këtë ngjarje të rëndë.
Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.





