Pas deklaratave ofenduese dhe sulmit të deputetes së Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi, ndaj influencers Dea Mishel Hoxha, ka reaguar edhe këngëtarja e njohur Rozana Radi.
Përmes një mesazhi publik në Instagram, Rozana është shprehur se ndonëse deputetja mund të mos bjerë dakord me qëndrimet e Deas dhe thirrjeve të saj për të mbështetur protestën për dorëheqjen e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, nuk mund ta sulmojë atë për pamjen fizike.
Ajo i kujton deputetes së Fierit përgjegjësinë që mbart si përfaqësuese e qytetarëve, duke nënvizuar se figurat publike duhet të shërbejnë si model për vajzat dhe të rinjtë përgjithësi.
“Ju jeni deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Pozicioni që mbani kërkon më shumë maturi, më shumë përgjegjësi dhe më shumë shembull. Vajzat e reja që ju ndjekin duhet të shohin tek ju një grua që përballet me kritikat me argumente, jo një figurë publike që përdor fotografi për të vënë në lojë një vajzë tjetër”, shprehet ajo, ndërsa thekson se deputetët duhet të frymëzojnë qytetari dhe kulturë debati, jo përçmim dhe fyerje.
Ndër të tjera, këngëtarja nënvizon se pamja fizike nuk mund të përdoret si argument në një debat.
“Sepse dhëmbët, fytyra apo pamja e një vajze nuk janë argument politik. Ato nuk e bëjnë askënd më pak të vlefshëm dhe as më pak të denjë për t’u dëgjuar”, përfundon Rozana.
Kujtojmë se reagimet ndaj deputetes Zegjine Çaushi nisën pas një mesazhi ofendues që ajo i kishte shkruar në rrjetet sociale Dea Mishelit, duke e quajtur “shëmtirë”.
Gjithçka nisi nga një replikë e Deas për kryeministrin, ku ajo i rikujtoj atij që në Kuvend ka deputetë që nuk dinë të numërojnë, duke i përmendur këtu Zgjinenë, dhe në një situatë të tillë, sipas Deas, kreu i qeverisë nuk mund të ironizojë dhe ofendojë blogerët që mbështesin protestat ndaj tij.
“Po të lutem, mos bëj ironi me ne, kur ti ke futur në kabinet Zeqinenë, e cila nuk di të numërojë, nuk di të shkruajë shqip pa gabime, nuk di as të përdorë ChatGPT për ta nxjerrë veten nga lluca e saj, sepse nuk di as t’ia thotë emrin. Pra, në momentin që ti merr këtë vajzë dhe qëndron pas saj, po u jep shembullin vajzave të tjera që, së pari, nuk kanë nevojë të shkojnë në shkollë e të investojnë në dije, sepse mund të jesh krejtësisht injorante dhe të vish në Parlament. Kështu që mos na bëj ironi”, tha Dea në reagimin e saj për Ramën.
Deputetja e Fierit zgjodhi t’i shkruaj drejtpërdrejtë Dea Mishelit në rrjetet sociale duke e ofenduar rëndë e duke e quajtur “shëmtirë”.
“Të bësh ironi ti shëmtirë është fundi i botës”, i ka shkruar ligjvënësja socialiste Deas, ndërsa kjo e fundit i është përgjigjur duke i thënë se është fiks ashtu siç e kishte pritur, “analfabete funksionale”.

Reagimi i plotë i Rozana Radit:
E nderuar zonja Zegjine,
Po ju drejtohem jo për të mbrojtur një person të caktuar, por për të mbrojtur një parim që duhet të na përkasë të gjithëve: respektin për dinjitetin njerëzor.
Mund të mos bini dakord me Dea Mishelin. Mund të kundërshtoni mendimet, qëndrimet apo kritikat e saj. Kjo është e drejta juaj. Por kur debati zhvendoset nga argumenti te tallja me pamjen fizike, humbet kuptimin e çdo diskutimi publik.
Ju jeni deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Pozicioni që mbani kërkon më shumë maturi, më shumë përgjegjësi dhe më shumë shembull. Vajzat e reja që ju ndjekin duhet të shohin tek ju një grua që përballet me kritikat me argumente, jo një figurë publike që përdor fotografi për të vënë në lojë një vajzë tjetër.
Unë dua të jetoj në një Shqipëri ku gratë nuk i sulmojnë gratë për pamjen e tyre. Në një Shqipëri ku mendimi i lirë nuk ndëshkohet me bullizëm. Në një Shqipëri ku deputetët frymëzojnë qytetari dhe kulturë debati, jo përçmim dhe fyerje.
Sepse dhëmbët, fytyra apo pamja e një vajze nuk janë argument politik. Ato nuk e bëjnë askënd më pak të vlefshëm dhe as më pak të denjë për t’u dëgjuar.
Një demokraci e shëndetshme matet nga mënyra se si trajtohen zërat kritikë, jo nga mënyra se si heshten apo poshtërohen ata.
Me respekt Rozana Radi.






