SOECZ

Mërkuri retrograd ndryshon energjitë, Meri Gjini zbulon shenjat që preken më shumë: Nis një cikël i ri për të gjithë, ku të bënu kujdes

Astrologia Meri Gjini ka bërë parashikimin e horoskopit në emisionin “Mes’dritë”, në Vizion Plus, me dyshen e moderatorëve Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova.

Lëvizja e Venusit sjell qetësi dhe qartësi, duke i bërë veprimet tona më të sigurta, më të hapura dhe më të vërteta. Me Marsin te Binjakët dhe ndikimin e Plutonit e Uranit, kjo periudhë na ndihmon të minimizojmë dëmet gjatë verës.

Megjithatë, duhet treguar kujdes i shtuar në rrugë, të shmanget alkooli dhe të ketë kujdes i madh me zjarrin, pasi faktori i të papriturës është shumë prezent. Mërkuri retrograd po i afrohet Gaforres, gjë që kërkon një komunikim të ngrohtë dhe jo imponues, sidomos në familje.

Dashi

Saturni do të kthehet retrograd pas pak ditësh, duke lehtësuar situatat e rënduara. Ndikimi i Venusit do të zgjidhë shqetësimet në drejtim të profesionit dhe punës.

Dita e nesërme shënon mbylljen e pikëpyetjeve dhe nisjen e një periudhe më të qetë. Këshillohet që Dashi të mos neglizhojë zgjerimin social deri më 12 gusht, pasi njohjet e reja do të ndihmojnë në projekte profesionale dhe në rritjen e statusit.

Demi

Demit i favorizohet qartësimi emocional dhe optimizmi në drejtim të parave.

Kanë një katërditësh të mbushur me informacione të gëzuara në lidhje me familjarët ose pasardhësit. Lajmet e mira do të ndryshojnë pozitivisht atmosferën në shtëpi.

Binjakët

Me Marsin në shenjën e tyre, Binjakët do të kenë prioritet çështjet e profesionit dhe karrierës.

Është një kohë e rëndësishme për vendime të reja, sidomos për ata në punë sezonale. Mund të ndiejnë pak lodhje ose të kenë debate për shkak të detyrimeve që u kufizojnë lirinë, por pas katër javësh do të shijojnë plotësisht verën.

Të lindurit në fund të shenjës duhet të bëjnë kujdes me fjalët këtë fundjavë, për të mos u dukur intimidues.

Gaforrja

Venusi do t’i favorizojë shumë Gaforret. Sa më shumë kalojnë ditët, aq më shumë do të zgjerohen njohjet e tyre sociale.

Është një periudhë e mirë për të krijuar lidhje të reja e të vlefshme.

Luani

Me Jupiterin e pozicionuar mirë, Luanët duhet të përcaktojnë qartë axhendën e tyre.

Venusi do t’u japë kthjelltësinë e duhur për të kanalizuar energjinë aty ku duhet. Katërditëshi i ardhshëm do të sjellë zgjidhje të rëndësishme për veten ose për një person të dashur.

Disa shqetësime të vogla mund të lidhen vetëm me familjarët e moshuar.

Virgjëresha

Venusi që vjen nesër i qetëson dhe u jep shkëlqim për të arritur marrëveshje e dakordësi.

Është momenti ideal për të korrigjuar keqkuptimet e vjetra. Do të jenë më të qetë financiarisht, por duhet të shmangin analizat e tepërta dhe tendencën për t’u kthyer kurrizin njerëzve kur nuk ndihen mirë.

Peshorja

Marsi dhe Jupiteri i favorizojnë në projektimet e tyre.

Peshoret do të merren shumë me pamjen e jashtme, veshjen dhe planifikimin e pushimeve. Edhe pse mund të shpenzojnë shumë para, do të ndihen mirë dhe do ta shijojnë këtë fundjavë.

Shqetësimet e mëparshme duket se po largohen.

Akrepi

Venusi është shumë ndihmues për Akrepët, sidomos në çështjet ekonomike.

Është koha e duhur për të mbyllur detyrimet bankare, taksat ose pagesat e prapambetura, pasi negociatat do të jenë në favorin e tyre.

Mundësitë për projekte të reja afatshkurtra janë të hapura, ndërsa për planet e mëdha duhet pritur pranvera e ardhshme.

Shigjetari

Prioriteti kryesor mbetet projektimi i profesionit.

Të lindurit në ditët e fundit të shenjës mund të marrin përgjigje shumë pozitive për karrierën. Venusi do t’i ndihmojë të zgjidhin problematika të vogla shëndetësore ose çështje që lidhen me rregullimin dhe arredimin e shtëpisë.

Bricjapi

Më në fund flitet për dashuri dhe flirt!

Venusi i përshtatet shumë energjisë së Bricjapit – dashuri e qartë, e kthjellët dhe pa “fluturime” të kota.

Për ata që janë në kërkim të një lidhjeje ose qartësie ekonomike, nis një periudhë shumë optimiste dhe me ngjyra të bukura.

Ujori

Ujorët duhet të jenë të kujdesshëm me lëvizjet e nxituara dhe sportet ekstreme, të paktën deri më 23 korrik.

Është koha për t’u marrë me dokumente, shkresa apo çështje studimore. Mund të ketë ndryshime adrese për qëllime edukimi.

Venusi i fton të merren më shumë me veten dhe të sigurojnë qetësinë brenda mureve të shtëpisë.

Peshqit

Ky është momenti perfekt për propozime serioze, fejesa apo martesa.

Marrëdhëniet që nisin ose konsolidohen tani do t’i rezistojnë kohës. Peshqit do të pëlqehen shumë nga të tjerët.

Duhet vetëm pak kujdes me shpenzimet, ndërsa mesi i javës tjetër do t’i gjejë më të kthjellët për të korrigjuar çdo gjë që i ka shqetësuar.

/vizionplus.tv