Meteorologët nga European Storm Forecast Experiment kanë shpallur një paralajmërim të nivelit dy për disa rajone të Bullgarisë, Rumanisë, Greqisë dhe Turqisë. Në 24 orët në vazhdim, priten stuhira të fuqishme shoqëruar me breshër të madh, erëra të forta dhe reshje intensive.
Rreziku më i madh për tornado është evident në lindjen e Bullgarisë dhe atë të Rumanisë. Sipas ekspertëve, përplasja e një fronti të ftohtë me masat e nxehta dhe të lagështa të ajrit që mbizotërojnë mbi Ballkan krijon kushte të përshtatshme për formimin e superqelizave, të cilat janë të afta të gjenerojnë breshër të madh, erëra shkatërruese dhe tornado.
Kjo situatë e rrezikshme përfshin veriun e Greqisë dhe veriperëndimin e Turqisë, ku priten stuhira të strukturuara që do të sjellin breshër, erëra të forta dhe reshje.
Po ashtu, një paralajmërim i nivelit 1 është shpallur për disa zona në Italinë jugore dhe në lindjen e Spanjës, ku gjithashtu parashikohen stuhira të izoluara me breshër dhe reshje të forta.
Moti luhatet për shkak të një fronti të ftohtë që po ulet drejt Europës Juglindore, ndërsa masat e nxehta subtropikale vazhdojnë të ndikojnë në rajon, duke krijuar kushte për zhvillimin e fenomeneve atmosferike të rrezikshme.





