Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve dhe operacionit të kryer, Belere Plaku nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të rënda, duke ndërruar jetë në spital pasi u qëllua me armë gjahu nga ish-dhëndri i saj. Sulmi kishte lënë pasoja shkatërrimtare për shëndetin e saj, duke bërë që pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme kirurgjikale, ajo të mos arrinte të shpëtonte.
Në orët e para të ditës së sotme, fshati Vidhisht i Roskovecit u trondit nga një krim makabër, kur Refik Buzi mbërriti në shtëpinë e ish-vjehrrëve të tij, Kosta dhe Belere Plakut. Ai hapi zjarr mbi çiftin, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të 58-vjeçarit Kosta Plaku, ndërsa më pas rrëmbeu vajzën e viktimave, me të cilën kishte pasur një histori dashurie në të shkuarën.
Pas disa orësh përpjekjesh, forcat e rendit arritën ta lironin vajzën, ndërkohë që autori Refik Buzi, duke mos iu dorëzuar thirrjeve të policisë, i dha fund jetës brenda makinës ku ishte barrikaduar.
Për të menaxhuar situatën në fshatin Kurjan, një snajperist i forcave speciale RENEA mori pozicion në një kodër për të monitoruar çdo lëvizje, ndërsa efektivë dhe drejtues të lartë të policisë iu afruan automjetit në përpjekje për negocim.
Megjithëse komunikimi u zhvillua në një distancë shumë të afërt, më pak se 5 metra, Nertil Buzi, i njohur edhe si Refit Buzi, vijoi të mos pranonte dorëzimin.
Lidhur me këtë ngjarje, Drejtori i Policisë së Fierit, Erion Ahmeti, kishte konfirmuar më herët këtë të premte se autori shfaqej i tronditur, duke qarë dhe duke paralajmëruar vetëvrasjen, një akt që, për fat të keq, u konkretizua më pas.




