Në dëshminë e saj për organet ligjzbatuese, 24-vjeçarja Rozalinda Plaka ka treguar se ndodhej në gjumë kur ish-i fejuari i saj, Refit Buzi (i njohur edhe si Nertil Buzi), hyri i armatosur në banesën e tyre në fshatin Vidhisht të Roskovecit. Ai ekzekutoi babanë e saj dhe qëlloi ish-vjehrrën, e cila ndërroi jetë më vonë në ambientet spitalore.
Më tej, e reja shpjegoi se autori e detyroi të hipte në automjet për t’u larguar, duke e lënë atë të vërente vetëm trupin e të atit të shtrirë përtokë gjatë largimit.
“Isha në gjumë. Erdhi në dhomë i armatosur. Më kërcënoi dhe u detyrova ta ndiqja pas për në makinë. Kur po dilnim pashë babain të shtrirë. Ndërsa nënën s’e pashë ku ishte”, dëshmoi ajo, ndërsa hetuesit po përgatiten për një seancë të dytë pyetjesh. Veprimi i marrjes peng të Rozalindës po trajtohet nga policia si një mjet sigurimi i përdorur nga Buzi. Fillimisht, ai zotëronte një telefon pa akses në internet, por gjatë ikjes, nën kërcënimin e armës, detyroi një kalimtar t’ia dorëzonte aparatin e tij celular.
Lidhur me natyrën e marrëdhënies së tyre apo pretendimet për shuma të mëdha parash që dyshohet se Buzi i kishte dërguar nga Anglia dhe që nuk ishin kthyer, Rozalinda Plaka nuk ka ofruar asnjë shpjegim.
Konflikti financiar, përkatësisht pretendimet e Refitit se prindërit e ish-të fejuarës nuk ia kishin kthyer paratë, duket se “molla e sherrit”. Megjithatë, autoritetet nuk kanë arritur ende të vërtetojnë nëse ai, i cili në vitin 2022 kishte rënë pre e një pengmarrjeje nga një organizatë kriminale në Britaninë e Madhe, kishte dërguar vërtet fonde për familjen në fjalë.
Pasi negociatat e gjata të policisë për dorëzimin e tij dështuan, Refit Buzi vendosi t’i jepte fund jetës, pasi më parë kishte liruar pengun, Rozalindën.





