Dëshmia e Rozalinda Plakës, ish-e fejuara e Refit Buzit,
ka dalë në dritë pas ngjarjes tragjike të ndodhur tre ditë më parë,
ku Buzi vrau prindërit e saj dhe më pas e mori peng atë. Rozalinda, në një rrëfim për gazetaren Anila Hoxha nga Top Channel,
ka zbuluar detaje rreth marrëdhënies së saj me Buzin, arsyet e ndarjes dhe momentet e tmerrshme që pasuan ngjarjen.
Sipas saj, lidhja ka filluar disa vite më parë, por për shkak të vështirësive të shumta, ata vendosën të ndaheshin në vitin 2024. Megjithatë, Rozalinda nuk dha informacione të plota rreth çështjeve financiare, të cilat dyshohet se kanë kontribuar në këtë përfundim tragjik. E rëndësishme është se prindërit e saj kishin qenë të vetëdijshëm për problemet që ishin shfaqur dhe që nuk e mbështesnin këtë lidhje që nga fillimi.
“Në vitin 2020 kemi shpallur fejesën dhe kemi krijuar hyrje-dalje familjare. Lidhja jonë ka vazhduar deri në vitin 2024, kohë në të cilën unë kam kërkuar të ndahem nga ai, por Refiti nuk ka pranuar. Arsyeja ka qenë sepse ai kishte një jetë të çrregullt, nuk ishte i përqendruar te lidhja jonë, kishte qenë jashtë shtetit në burg dhe të gjitha këto nuk më përshtateshin mua. Këto gjëra i dinin edhe prindërit e mi, të cilët nuk kanë qenë dakord për këtë lidhje që në fillim.”
Ajo tregoi se në momentin e sulmit, ishte duke fjetur kur papritur dëgjoi një zhurmë të madhe, e cila i ngjante krisme arme.
“Kam qenë duke fjetur gjumë në dhomën time, kurse prindërit e mi kanë qenë në dhomën e tyre. Kam dëgjuar zhurmë të fortë që më është dukur si krismë arme dhe kam dalë në korridor të shikoj se çfarë kishte ndodhur. Kur dola kam parë shtetasin Refit Buzi në korridor, me një armë të gjatë si ato të gjahut në dorë, si dhe kam parë babain tim Kosta Plaka të shtrirë përmbys te hyrja e dhomës, i mbuluar me gjak. Unë i kam kapur armën dhe po e mbaja, por Refiti bërtiste: ‘Do t’ju vras të gjithëve’. Më shtyu dhe më qëlloi me grusht, theu derën e dhomës sime dhe aty jam plagosur me copa xhami në trup.”
Rozalinda ka shtuar se është marrë me forcë dhe është detyruar të largohet nga shtëpia bashkë me Buzin.
“Më mori me forcë e më hipi te makina. Momenti kur më mori me forcë nga shtëpia deri kur kam hipur në makinë nuk më kujtohet, sepse kam qenë shumë e tronditur.”
Gjatë bisedave me policinë për dorëzimin e tij, Rozalinda zbuloi një detaj tjetër interesant. Ajo tha se Buzi kishte qenë zbathur, dhe gjatë negociatave, ai kishte deklaruar se këpucët ia kishte dhënë asaj.
Sipas saj, gjatë këtyre bisedave, prokurori e pyeti: “Vetëdorëzohu, pse je zbathur?”, ndaj Buzi përgjigjej: “I hoqa, ia dhashë… Ia dhashë asaj t’i veshë, se e mora zbathur.”.
Hetimet për këtë ngjarje të rëndë vazhdojnë, ndërsa autoritetet janë angazhuar për të zbardhur rrethanat dhe motivet që çuan në tragjedinë me tre viktima.





