SOECZ

Tragjedia në Roskovec: Dëshmia e Rozalindës për ngjarjen fataIe

Tre ditë pas ngjarjes tragjike në Roskovec, hetimet vazhdojnë me intensitet. Grupi hetimor ka në plan të intervistoje sërish 24-vjeçaren Rozalinda Plaka, e cila ishte mbajtur peng për disa orë nga ish-partneri i saj, Refit Buzi.

Ky i fundit, në një akt tragjik, vrau babanë e saj dhe plagosi rëndë nënën e saj, e cila vdiq disa orë më vonë. Burimet e hetimit njoftojnë se dëshmia e saj e parë nuk ofroi shumë informacion që mund të shpjegonte arsyet që çuan 35-vjeçarin në atë krim të tmerrshëm dhe në vetëvrasjen e tij pas një negociate të gjatë me policinë. Pas lirimit nga autori, Rozalinda përshkroi ngjarjet që ndodhën në banesë në mëngjesin e 24 korrikut.

Në gjendje të rënduar psikologjike, ajo ka deklaruar se ishte në gjumë kur dëgjoi zhurma në shtëpi. Kur u zgjua, pa Refit Buzin në dhomën e saj, të armatosur me një armë gjahu. “Më kërcënoi të shkoja në makinë me të dhe ta ndiqja nga pas”, ka deklaruar ajo para hetuesve. 24-vjeçarja ka treguar gjithashtu se në ato momente nuk e kuptoi menjëherë se çfarë kishte ndodhur në banesë. “Pashë vetëm babanë të shtrirë në kuzhinë, ndërsa nënën nuk arrita ta shihja”, mësohet të ketë dëshmuar ajo.

Në lidhje me arsyet e ngjarjes, përfundimin e lidhjes së saj me Refit Buzin, si dhe pretendimet e tij për dërgimin e 830 mijë paundve nga Anglia për t’i ruajtur, Rozalinda nuk ka dhënë ndonjë shpjegim. Kjo është arsyeja pse grupi hetimor planifikon ta thërrasë atë përsëri për t’i bërë pyetje të tjera në vazhdim të hetimeve. Ngjarja tronditëse ndodhi në mëngjesin e 24 korrikut në fshatin Vidhisht, Roskovec.

Pas këtij sulmi, Kosta Plaka humbi jetën, ndërsa bashkëshortja e tij, Belere Plaka, u plagos rëndë dhe vdiq disa orë më vonë në spital. Autori, Refit Buzi, u vetëvra në automjetin e tij, duke refuzuar të dorëzohej pas tentativave të policisë dhe forcave RENEA për ta bindur për të shpëtuar.

Krimi i rëndë që tronditi këtë zonë është ende nën hetim, dhe grupi hetimor po shqyrton të gjitha pistat që mund të kenë çuar në këtë ngjarje fatkeqe. Sipas informacionit të deritanishëm, Refit Buzi kreu aktin e tij të tmerrshëm duke qëlluar ndaj ish-vjehrrit të tij, Kosta Plaka, i cili vdiq menjëherë. Ish-vjehrra e tij, Belere Plaka, u plagos dhe ndëroi jetë pas disa orësh në spital. Pas veprës së tij, ai mori peng ish-partneren dhe e mbajti atë për disa orë, ndërsa zona u rrethua nga policia dhe RENEA.

Një nga pistat që po shqyrtojnë hetuesit është refuzimi i Rozalindës për të rikthyer marrëdhënien me Refitin. Të dy kishin jetuar bashkë në Tiranë, ku Rozalinda ishte studente e Infermierisë. Familjarët e saj thonë se mes tyre kishte një diferencë të madhe moshe. Pas një periudhe fejesash dhe bashkëjetese, ajo vendosi të ndërpresë lidhjen për arsye ende të paqarta. Të afërmit e saj deklarojnë se pas ndarjes, Refit Buzi e kërcënonte vazhdimisht, duke e detyruar të braktiste studimet dhe të kthehej në fshatin e saj të origjinës.

Sipas tyre, 35-vjeçari ka pasur arrestime të shumta, dhe kohët e fundit ndodhej nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Ndërsa prindërit e tij ofrojnë një version të ndryshëm të situatës, duke thënë se mosmarrëveshja kishte të bënte me një çështje financiare. Sipas tyre, buxheti dërguar nga Anglia gjatë kohës që ata jetonin bashkë u transformua në një konflikt të madh pas ndarjes. Babai i autorit shprehet se pas kësaj kërkese për kthimin e parave, marrëdhëniet mes dy familjeve u keqësuan. “Ka pasur konflikte me familjen e vajzës, por nuk jemi të sigurt për detaje. Ai kishte dërguar disa para për të, dhe kur kërkoi kthimin e tyre, filluan problemet. Ajo na ka thënë që të mos i tregonim prindërve të saj dhe vinte fshehurazi.” ka përfunduar babai i 35-vjeçarit.