SOECZ

Zbuloni fuqinë e hithrës: Pastron gjakun dhe forcon imunitetin në mënyrë natyrale! / Receta nga Ylli Merja

Hithra mbetet një nga bimët më të fuqishme të mjekësisë popullore shqiptare dhe një ndër burimet më të pasura natyrore të vitaminave, mineraleve dhe përbërësve bioaktivë.

Përdorimet e saj janë të shumta, nga forcimi i imunitetit, përmirësimi i funksionit të mëlçisë, deri te problemet e prostatës dhe rënia e flokëve.

Specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja në “Rreze Dielli” në Report TV, shpjegon se forca shëruese e hithrës qëndron pikërisht te përbërja e saj kimike, e cila i jep kësaj bime efekte unikale detoksifikuese, antiinflamatore dhe rigjeneruese.

“Gjethet e hithrës janë të pasura me proteina bimore që rrisin energjinë, me vitamina C, A dhe K, si edhe me minerale si kalcium, magnez, kalium e hekur, gjithashtu përmbajnë acide organike që pastrojnë gjakun dhe forcojnë imunitetin.

Rrënja përmban polisaharide dhe fitosterole që ndihmojnë në frenimin e zmadhimit të prostatës, ndërsa farat përmbajnë vajra dhe proteina që rrisin energjinë, forcojnë flokët dhe mbështesin funksionin e mëlçisë.”– shpjegon Merja.

Sipas tij, përbërësit kimikë që e bëjnë hithrën të djegë janë pikërisht “sekreti” i efektit të saj të fortë në rastet e alergjive dhe problemeve reumatizmale..

“Përfitimet kryesore shëndetësore që marrim nga përdorimi i hithrës: pastron dhe hollon gjakun, ndihmon në rast anemie, përmirëson funksionin e mëlçisë, forcon imunitetin, zvogëlon edemën e prostatës dhe nxit urinimin, largon zbokthin dhe forcon flokët, ndihmon kundër alergjive, lodhjes, tendinit, hemorroideve, diarreve, ngërçeve dhe akneve. Hithra ka veti antivirale, antimikrobike, antiinflamatore dhe kundër plakjes”, – thekson specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja, i cili jep dhe disa receta praktike.

Si ta përdorim hithrën në shtëpi

– Çaj hithre: 3 lugë gjelle gjethe të thara ose 25–30 g të njoma në 3 gota ujë. Pijet gjatë ditës.
– Tinktura alkoolike: 50–60 g gjethe të njoma ose 30–35 g të thata në 100 ml alkool ushqimor. Lihet 7–10 ditë. Konsumohet 3 herë në ditë, 15 ml të tretura në ujë.
-Hemoragji nga hundët: Garzë e lagur me çaj hithre dhe bishtamithi vendoset në kanalin e hundës 2 herë në ditë. Konsumohen edhe 2 gota çaji.
– Rënie flokësh: Çaj me rrënjë hithre, gjethe hithre, rozmarinë dhe sherebel, shpëla flokët 3–4 herë në javë dhe pini 2–3 gota çaj në ditë.
– Alergji: Ziejini për 2–3 minuta një dorë hithra dhe një dorë mëllagë në 500 ml ujë. Çaji pihet gjatë ditës.
– Edemë e prostatës: Ziejini për 3–5 minuta një dorë rrënjë hithre, 3–4 fije epilobium, 1 lugë rrush ariu dhe një dorë bar ngjitës në 1 litër ujë. Pihen 3 gota çaji në ditë, konsumohen dhe 2 lugë çaji fara gjembgomari dhe 1 lugë supe fara kungulli.

Shënim i redaksisë: Përdorimi i bimëve natyrale nuk zëvendëson trajtimin mjekësor. Konsultohuni me mjekun, sidomos nëse keni sëmundje kronike, jeni shtatzënë ose merrni medikamente të përhershme!

×