SOECZ

Detajet e fundit nga ngjarja TRAGJIKE në Roskovec ‘Cifti Plaka ishin ngritura nga gjumi…Nertili hyri…’

Është zbardhur rrjedha e plotë e ngjarjes së rëndë që shkaktoi humbjen e tri jetëve në Vidhishtë të Roskovecit.

Mëngjesin e së enjtes, rreth orës 05:00, Refit Buzi, 35 vjeç, i njohur edhe me emrin Nertil, hyri i armatosur me një armë gjahu në shtëpinë e familjes Plaka, ndërkohë që Kosta (Arben) dhe Belere Plaka po bëheshin gati për të shkuar në punë. Në çastin kur hyri në banesë, agresori qëlloi menjëherë mbi bashkëshortët.

Kosta Plaka ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa Belerie Plaka mori plagë të rënda. Pavarësisht se ajo u dërgua me shpejtësi në Spitalin e Fierit dhe iu nënshtrua një operacioni që zgjati mbi pesë orë, fatkeqësisht ajo nuk mundi të mbijetonte. Pasi kreu vrasjet, 35-vjeçari mori me vete me forcë 24-vjeçaren, me të cilën kishte pasur një lidhje nëntëvjeçare, dhe u largua përmes pjesës së pasme të shtëpisë.

Ai u arratis drejt fshatit Kurjan, ku pas ndjekjes së forcave të rendit, e la të renë të lirë pa asnjë dëmtim fizik.

Ndërsa operacioni i policisë për kapjen e tij vazhdonte, përpjekjet për negociata zgjatën rreth shtatë orë, por 35-vjeçari nuk pranoi të dorëzohej dhe zgjodhi t’i jepte fund jetës duke u vetëvrarë.

Kjo histori, që kishte nisur vite më parë si një marrëdhënie sentimentale, përfundoi në një tragjedi të rëndë që shoi tri jetë dhe la të shkatërruara dy familje.